Zhvilloni politikë parlamentare për medie sociale
Supozoni se çdo gjë e postuar në mediat sociale mund të bëhet e njohur për publikun dhe krijoni politikë parlamentare për medie sociale në përputhje me rrethanat. Duke pasur parasysh natyrën publike të pjesës më të madhe të punës parlamentare, ka gjasa që ju të dëshironi të ndani publikisht shumicën e postimeve dhe mesazheve, por është ende thelbësore të bëni dhe t'u përgjigjeni pyetjeve si: Kush ka qasje në llogaritë tuaja të mediave sociale? Kujt i lejohet të postojë dhe kush duhet të miratojë postimet? Po komentet dhe përgjigjet? Çfarë informacioni duhet/nuk duhet të ndahet në mediat sociale? Nëse postoni foto, informacione për vendndodhjen ose informacione të tjera identifikuese për stafin, anëtarët ose partnerët tuaj, a keni kërkuar lejen e tyre dhe a kanë konsideruar ata ndonjë rrezik të mundshëm? Pyetjet e tilla janë veçanërisht të rëndësishme nëse parlamenti juaj angazhohet publikisht me qytetarët nëpërmjet mediave sociale ose online portaleve të ngjashme për angazhim publik.
Përveç zhvillimit të politikës suaj dhe marrëveshjes së qartë me stafin, sigurohuni që të konfiguroni siç duhet cilësimet e privatësisë dhe sigurisë (shpesh të referuara si "siguri"). Disa pyetje kyçe për t'i bërë vetes ndërsa vendosni se cilat cilësime të privatësisë dhe sigurisë kanë më shumë kuptim për llogaritë parlamentare dhe personale, përfshijnë:
- A doni t'i ndani postimet tuaja me publikun, apo vetëm me një grup të caktuar njerëzish brenda apo jashtë?
- A duhet dikush të jetë në gjendje të komentojë, të përgjigjet ose të ndërveprojë me mesazhet ose postimet tuaja?
- A duhet persona të ndryshëm të jenë në gjendje t'ju gjejnë duke përdorur adresën tuaj të postës elektronike ose numrin e telefonit (personal ose të punës)?
- A doni që vendndodhja juaj të ndahet automatikisht kur postoni?
- A doni të bllokoni apo të heshtni llogaritë armiqësore?
- A doni të bllokoni fjalë ose hashtag specifike?
Çdo faqe e mediave sociale do të ketë cilësime të ndryshme të privatësisë dhe sigurisë, por këto koncepte të përgjithshme zbatohen në mënyrë universale. Ndërsa shqyrtoni këto pyetje, përfitoni nga udhëzuesit e dobishëm të privatësisë nga platformat kryesore: Facebook, Twitter, Instagram dhe YouTube. Për Facebook në veçanti, jini të kujdesshëm në lidhje me zgjedhjet tuaja të privatësisë në lidhje me Grupet. Grupet e Facebook-ut janë një vend i njohur për angazhim, avokim dhe shkëmbim informacioni, por në grupet e pakufizuara mund të bashkëngjitet kushdo. Nuk është e pazakontë që llogaritë “e rreme” të paraqiten si njerëz të vërtetë në përpjekje që të depërtojnë në grupe apo faqe private të mediave sociale. Prandaj, pranoni me kujdes kërkesat për "miqësi" dhe "ndjekje". Mos harroni se llogaritë e mediave sociale të parlamentit tuaj janë po aq të sigurta sa llogaritë e "lidhura" me të. Kjo është veçanërisht e rëndësishme të mbahet mend për Facebook-un, ku faqet mund të menaxhohen nga llogaria personale e lidhur e dikujt.
Ngacmimi në internet
Fatkeqësisht, shumë parlamente dhe grupe të lidhura përballen me ngacmime të konsiderueshme në internet, veçanërisht në mediat sociale. Ngacmimet e tilla shpesh drejtohet me intensitet edhe më të madh ndaj grave dhe popullatave të margjinalizuara. Dhuna në internet kundër grave në veçanti mund të krijojë një mjedis armiqësor që çon në autocensurë ose tërheqje nga diskursi politik ose qytetar. Siç është identifikuar nga raporti i ekipit të NDI-së për Gjini, Gra dhe Demokraci Tweets That Chill, kur sulmet kundër grave aktive politike kanalizohen në internet, shtrirja e gjerë e mediave sociale mund të zmadhojë efektin e ngacmimit dhe abuzimit psikologjik, duke minuar ndjenjën e sigurisë personale të grave në mënyra që nuk përjetohen nga burrat.
Derisa parlamenti juaj zhvillon politikën e mediave sociale, është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për këto dinamika. Në planin tuaj të sigurisë duhet të ndërtoni mbështetje të strukturuar për anëtarët dhe stafin që përballen me mesazhe negative, fyerje dhe kërcënime në mediat sociale, si pjesë e punës së tyre ashtu edhe në jetën e tyre personale. Zhvilloni infrastrukturë kundër ngacmimit brenda parlamentit, përfshirë anketimin e stafit tuaj për të kuptuar se si ngacmimi në internet ndikon tek ata dhe krijoni ekip për reagim të shpejtë për të ndihmuar stafin që të përballet me situata sfiduese. Doracaku i ngacmimit në teren në internet nga PEN America ofron rekomandime të hollësishme se si mund të mbështesni stafin që përballet me ngacmime të tilla. Mund të konsideroni opsionin, sigurisht që nëse stafi juaj është i gatshëm të veprojë në këtë mënyrë, për raportim të incidenteve të ngacmimeve dhe/ose llogarive problematike gjithashtu edhe direkt në platforma.
Kur angazhoheni me anëtarë ose staf që kanë qenë viktimë të ngacmimeve në internet (dhe në botën fizike gjithashtu), është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm. Siç është përshkruar nga Programi për të Drejtat e Grave të Shoqatës për Komunikim Progresiv Take Back the Tech, kuptoni se personi që ka kaluar përvojë të tillë mund të jetë duke u përballur me traumë dhe pranoni se dhuna, online ose offline, nuk është kurrë faji i të mbijetuarit. Sigurohuni që çështje të tilla të mund të ngrihen dhe diskutohen (nëse stafi është i gatshëm ta bëjë këtë) në një mjedis të fshehtë dhe të sigurt, me opsion për anonimitet. Dhe përfshini në planin e sigurisë të parlamentit tuaj një listë të profesionistëve, organizatave dhe agjencive të zbatimit të ligjit të vendit me të cilët mund të lidhni stafin për ndihmë ligjore, mjekësore, mendore dhe teknike nëse është e nevojshme. Për ide shtesë, kontrolloni Udhëzuesin e Sigurisë në internet nga Feminist Frequency.